Shënohet “Dita Botërore e Akreditimit “

Në këtë ngjarje të organizuar nga Drejtoria e Akreditimit të Kosovës në kuadër të MINT, ishin të pranishëm Ministrja në detyrë znj. Rozeta Hajdari, Kryesuesi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Johannes STENBAEK Madsen, përfaqësues të Trupave të Vlerësimit të Konformitetit (TVK), vlerësues të jashtëm të akreditimit dhe përfaqësues nga shoqatat e komunitetit të biznesit.

Ministrja në detyrë znj. Rozeta Hajdari, theksoi përkushtimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për mbështetjen e procesit të akreditimit dhe mbështetjen direkte të NVM-ve, duke qenë moto e këtij viti.

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z.Johannes Stenbaek Madsen, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një kuadri të fuqishëm të akreditimit.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK), z. Irfan Lipovica, u shpreh se DAK është duke bashkëpunuar me ekspertë vendor e ndërkombëtar, me qëllim që të përmirësohet shërbimi dhe subjektiviteti ndërkombëtar i procesit të akreditimit.

Përveç fjalimeve, prezantimeve dhe panelit diskutues në temën e akreditimit, u shfaq edhe mesazhi i urimit nga Presidentja e Organizatës Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim znj. Maureen Logghe, drejtuar Ministres në detyrë të MINT, znj. Hajdari dhe Drejtorit të Përgjithshëm të DAK, z. Lipovica.

Rëndësia e Akreditimit:

Akreditimi përcakton kompetencën teknike, integritetin dhe paanshmërinë e organizatave që ofrojnë shërbime të vlerësimit të konformitetit si testimi, kalibrimi, certifikimi dhe inspektimi, bazuar në standardet ndërkombëtare. Ky proces është në interes dhe përfitim të publikut.

Me kalimin e viteve, roli i akreditimit është rritur dhe është bërë një instrument tepër i rëndësishëm në legjislacionin ndërkombëtar, për krijimin e një tregu me produkte dhe shërbime të sigurta. Gjithashtu, akreditimi lehtëson eksportin e produkteve dhe shërbimeve, duke pasur një ndikim jetësor në ekonomi.

Skemat e Akreditimit në Kosovë:

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit e Kosovës (DAK) aktualisht ka ngritur katër skema akreditimi:

• Akreditimi i laboratorëve testues sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17025:2017.

• Akreditimi i trupave inspektues sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17020:2012.

• Akreditimi i laboratorëve mjekësorë sipas kërkesave të standardit ISO 15189:2012.

• Akreditimi i trupave certifikues sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17065:2012.

Progresi në Akreditim në Kosovë:

Numri i Trupave për Vlerësim të Konformitetit (TVK) të akredituara në Kosovë është rritur. Aktualisht janë të akredituara 71 trupa të vlerësimit të konformitetit, përfshirë 51 laboratorë testues dhe 20 trupa inspektues.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors