Gjatë kësaj jave në Bangkok, Tajlandë, po zhvillohet takimi vjetor i dy organizatave kryesore ndërkombëtare në fushën e akreditimit: Forumi Ndërkombëtar i Akreditimit (International Accreditation Forum – IAF) dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar i Akreditimit të Laboratorëve (International Laboratory Accreditation Cooperation – ILAC).
Në këtë ngjarje të rëndësishme po merr pjesë z. Irfan Lipovica, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK), i cili po përfaqëson Republikën e Kosovës në takimet ndërkombëtare ku diskutohet për zhvillimet dhe trendet më të fundit në sistemet e akreditimit në nivel global.
Gjatë dy ditëve në vijim do të mbahet edhe takimi i organizatës së re “Bashkëpunimi i Integruar Ndërkombëtar i Akreditimit – Global Accreditation Cooperation Incorporated (GAC)”, e cila është themeluar vitin e kaluar dhe nga tani do të jetë organizata e vetme ndërkombëtare (globale) përgjegjëse për bashkimin dhe koordinimin e aktiviteteve të IAF dhe ILAC në fushën e akreditimit.
Pjesëmarrja e Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës në këto takime përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të sistemit të akreditimit në vend, në përputhje me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.