Në kuadër të angazhimeve për zgjerimin dhe avancimin e sistemit kombëtar të akreditimit, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës (DAK) ka paraparë zhvillimin e tri skemave të reja të akreditimit, të cilat synojnë zgjerimin e fushave të vlerësimit të konformitetit dhe forcimin e infrastrukturës kombëtare të cilësisë.
Skemat e reja që janë në plan për zhvillim përfshijnë:
1. Validimi dhe verifikimi – ISO/IEC 17029
Parimet e përgjithshme dhe kërkesat për organet e validimit dhe verifikimit, me qëllim të sigurimit të kompetencës, paanshmërisë dhe qëndrueshmërisë së aktiviteteve të tyre.
2. Auditimi dhe certifikimi i sistemeve të menaxhimit – ISO/IEC 17021
Akreditimi i Trupave të Vlerësimit të Konformitetit (TVK) që kryejnë auditimin dhe certifikimin e sistemeve të menaxhimit, duke kontribuar në besueshmërinë dhe njohjen e certifikimeve të lëshuara.
3. Certifikimi i personave – ISO/IEC 17024
Akreditimi i Trupave të Vlerësimit të Konformitetit (TVK) që kryejnë certifikimin e personave, për të siguruar kompetencën dhe besueshmërinë e proceseve të certifikimit profesional.
Drejt zgjerimit të infrastrukturës kombëtare të cilësisë
Zhvillimi i këtyre skemave përbën një hap të rëndësishëm në zgjerimin e shërbimeve të akreditimit në Kosovë, duke krijuar mundësi për mbulimin e fushave të reja të vlerësimit të konformitetit.
Përmes këtij angazhimi, DAK synon të forcojë kompetencën teknike, besueshmërinë dhe transparencën e shërbimeve të vlerësimit të konformitetit, si dhe të kontribuojë në përafrimin e sistemit kombëtar të akreditimit me standardet dhe praktikat evropiane e ndërkombëtare.