Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës (DAK), zhvilloi një sesion informues me përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe përfaqësues te bizneseve, anëtar të Odës.
Në takim prezantuan Z. Irfan Lipovica, Drejtori i Përgjithshëm; Znj. Ardiana Shala Krrabaj Drejtore e Departamentit për Akreditim dhe Zhvillim si dhe Znj. Safete Rexhepi, Udhëheqëse e Divizionit për Akreditim.
Sesioni kishte për qëllim informimin e komunitetit të biznesit dhe palëve të interesuara lidhur me shërbimet dhe skemat e akreditimit të ofruara nga DAK, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e akreditimit dhe vlerësimit të konformitetit për garantimin e kompetencës, besueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara në treg.
Gjatë takimit u prezantuan skemat aktuale të akreditimit të DAK për Trupat e Vlerësimit të Konformitetit (TVK), të cilat përfshijnë:
- Laboratorët testues dhe kalibrues – sipas standardit ISO/IEC 17025;
- Laboratorët mjekësorë – sipas standardit ISO 15189;
- Trupat inspektues – sipas standardit ISO/IEC 17020;
- Trupat e certifikimit të produkteve – sipas standardit ISO/IEC 17065.
Gjithashtu, pjesëmarrësit u informuan edhe për planet e DAK për zhvillimin e skemave të reja të akreditimit, në kuadër të sesionit u zhvillua një diskutim i hapur me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me fokus në nevojat e bizneseve, përfitimet nga akreditimi, besueshmërinë e rezultateve të vlerësimit të konformitetit dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet DAK dhe komunitetit të biznesit.
DAK theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me odat ekonomike, asociacionet e biznesit dhe sektorin privat, me qëllim të promovimit të infrastrukturës së cilësisë dhe krijimit të një tregu më të besueshëm, konkurrues dhe në përputhje me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.
Takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e komunikimit ndërmjet DAK dhe komunitetit të biznesit, si dhe në identifikimin e fushave të përbashkëta për informim, ndërgjegjësim dhe zhvillim të mëtejshëm të shërbimeve të akreditimit në Kosovë. Cikli i informimit do të vazhdon edhe me organizatat tjera relevante.